X
GO

Lajmet

“Deep Nostalgia” mund të kthej fotot e vjetra në foto lëvizëse

  • 1 mars 2021
  • Autori: Rrustem Loshi
  • Numri i shikimeve: 288
  • 0 Komentet
“Deep Nostalgia” mund të kthej fotot e vjetra në foto lëvizëse

Teknologjia e Aparateve fotografike ka përparuar shumë, dhe gati secili nga ne e kemi nga një në telefonat tonë celular. Përdoruesit e iPhone-ëve janë më të zëshëm në një veçori që e ofron kamera e celularëve të tyre gjatë shkrepjes së një fotografie (iOS Live Photo), e cila, shkrepë disa fotografi radhazi dhe e bën fotografinë të duket si video, më saktësisht e bën një fotografi lëvizëse. Kjo është menduar si opsion që t’u mundësojë shfrytëzuesve të zgjedhin foton më të mirë nga një seri shkrepjesh.

Mirëpo, dilema është se si të bëjmë një fotografi të vjetër të duket si fotografi lëvizëse?

Kompania MyHeritage (Trashëgimia ime), e cila merret me gjenealogjinë familjare, para pak ditësh ka publikuar një shërbim në ueb të cilin e ka emërtuar “Deep Nostalgia” (Nostalgjia e thellë) përmes të cilit keni mundësi të ngarkoni një foto të vjetër, dhe shërbimi ua shndërron atë në një imazh lëvizës (.gif), që të duket sikur personazhi në foto lëvizë derisa merr pozitën e duhur për t’u fotografuar.

Qëllimi i tyre ka qenë t’u mundësojë ngarkimin e fotografive të më të dashurve që tashmë kanë vdekur, që pastaj ato fotografi statike t’i shndërrojë në fotografi lëvizëse.

Derisa tek opsioni “Live Photo” është menduar të gjendet poza më e mirë që mund të ketë humbur në sekondën e saktë të shkrepjes, “Deep Nostalgia” ka për qëllim të sjellë në jetë fotografitë e vjetra, madje edhe ato që nuk janë shkrepura nga një fotoaparat modern.

Krejt këtë kompania MyHeritage e ka arritur përmes Inteligjencës Artificiale (IA), e cila në këtë rast përdorë një teknologji për mësimin e thellë (deep learning) – të krijuar dhe licencuar nga kompania “D-ID” – për të animuar lëvizjen e fytyrës dhe të syve të personazheve në fotografinë statike.

I tërë ky proces është i automatizuar. Mjafton që shfrytëzuesi të ngarkojë një fotografi përmes ueb-faqes MyHeritage, ku fillimisht përmirësohet kualiteti i fotografisë jo vetëm që të përmirësohet cilësia e animacionit përfundimtar, por edhe për t’ia lehtësuar punën algoritmit të mësimit të thellë.

Për të provuar edhe ju këtë, mjafton të regjistroheni në platformën MyHeritage, duke shënuar Emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, dhe e-mail adresën. Kështu ju mund të ktheni pa pagesë deri në pesë fotografi të vjetra statike në fotografi lëvizëse (.gif), dhe të duket sikur personazhet pozojnë para fotoaparatit para se të fotografohen. Pas kësaj ju mund të paguani një çmim për regjistrim mujor dhe të tejkaloni limitin prej 5 fotografive.

Megjithëkëtë, “Deep Nostalgia” ka limitet e veta. Nëse në një foto, p.sh., ndodhen dy a më shumë persona, ju keni mundësi që këto animacione t’i aplikoni vetëm tek njëri personazh. Po ashtu animacionet janë të limituara vetëm në kokë dhe qafë. Nëse subjektet janë duke ecur, apo luajtur, ju nuk do të mund t’i bëni ata të lëvizin trupin. Mirëpo kjo mund të jetë vetëm përkohësisht derisa një ditë të mund të ktheni një fotografi të tërë në një video.

 

Print
Kategoria: Lajme
Vlerëso artikullin:
5.0

x

Kurset më të shikuara

RSS